Tjetër padi e opozitës në Kushtetuese

21/12/2016 00:00

Në Gjykatën Kushtetuese është depozituar një tjetër ankimimim kundër njërit prej ligjeve themelore të reformës, atij për organizimin e qeverisjes së organeve të drejtësisë. Nismëtare është Partia Demokratike, e cila pati deklaruar në nëntor se do ta çonte ligjin në Kushtetuese, sapo ai të botohej në Fletoren Zyrtare.

Ligji për organet e qeverisjes së drejtësisë, që parashikon mes të tjerash ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, konsiderohet nga demokratët si një ligj në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Ligji për organet e qeverisjes së drejtësisë është ndër më voluminozët e Reformës në Drejtësi, me 291 nene, por sipas Partisë Demokratike, ai është ligji me më shumë shkelje kushtetuese sesa çdo ligj që është miratuar me paketën e Reformës në Drejtësi.

Top Channel mësoi se kundërshtimi kryesor i opozitës lidhet me mënyrën e zgjedhjes së 10 anëtarëve që Kuvendi zgjedh për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë. Sipas opozitës, ligji i heq Kuvendit ekskluzivitetin e emërimit të këtyre anëtarëve, duke vendosur një komision “ad hoc”, që do të filtrojë kandidaturat nga Avokatia përpara se ato të shqyrtohen nga Kuvendi.

Sipas demokratëve, komisioni “ad hoc” është një strukturë që nuk parashikohet nga Kushtetuta dhe është krijuar për t’i imponuar Kuvendit të Shqipërisë vullnetin e disa njerëzve të caktuar, me gjasë nën kontrollin e qeverisë. Kjo është arsyeja, që sipas demokratëve e bën flagrante shkeljen e Kushtetutës dhe që detyron opozitën të ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel