Fillon apo Juppe? Balotazhi në primaret franceze për zgjedhjen e Presidentit

23/11/2016 00:00

Pak ditë përpara balotazhit që do të përcaktojë se cili prej tyre do të jetë kandidati i qendrës së djathtë në presidencialet e muajit maj në Francë, dy fituesit e raundit të parë, François Fillon dhe Alain Juppe kanë nisur sulmet e hapura ndaj njëri-tjetrit.

Juppe e akuzoi rivalin e tij se po këmbëngul për një program ekonomik “brutal” që do ta gjunjëzojë Francën dhe i cilësoi “të vjetëruara” rezervat e kundërshtarit për abortin.

“Unë kërkoj reforma të thella, të besueshme dhe që mund të zbatohen pa brutalitet. Ka tre dallime të mëdha mes meje dhe Fillon-it dhe i pari është programi i tij ekonomik që më duket i keqstrukturuar. Nuk do të mbajë, jam i sigurtë, është i destinuar të dështojë”, tha Juppe.
 
Fjalëve të 71-vjeçarit, i cili e përshkruan veten si centrist të moderuar, favoriti konservator iu përgjigj duke thënë se është koha për veprime të guximshme: “Alain Juppe gabohet në gjykimin e programit tim si shumë radikal. Unë i them se po nuk rrezikuam tani, nuk kemi se kur ta bëjmë tjetër. E dëgjoj të thotë se kthimi i 39 orëve për punonjësit publikë do të jetë shumë brutal. Por, nëse nuk bëjmë dot asgjë për të shmangur falimentimin, atëherë le të qëndrojmë më mirë në shtëpi”.
 
Nicolas Sarkozy, i cili u skualifikua nga gara e paraprakeve të dielën, deklaroi se mbështetja e tij tani shkon për Fillon-in. Ky i fundit, një ish-kryeministër, argumenton se plani i vet për shkurtim shpenzimesh është i realizueshëm nëse punonjësit e sektorit publik do të punojnë 39 orë në javë, në vend të 35 orëve ose më pak që punojnë aktualisht.

Top Channel