Murray triumfon në ATP Tour Finals, konfirmohet numri 1 në botë

21/11/2016 00:00

Andy Murray triumfon në ATP Tour Finals dhe e mbyll vitin 2016 si numri 1 i botës. Në “O2 Arena” të Londrës, tenisti britanik theu Novak Djokovic 2-0 për të siguruar suksesin e tij të parë në këtë aktivitet, ku pjesëmarrës janë 8 tenistët më të mirë të botës.

Murray u shfaq superior ndaj Djokovic për pjesën më të madhe të kohës, duke i mbyllur setet 6-3 dhe 6-4. Në fraksionin e parë ekuilibri zgjati deri në 3-3, më pas Murray dominoi mbi numrin 2 të botës, duke fituar 3 “game” radhazi, për ta mbyllur këtë set 6-3.

Në setin e dytë, Murray mori kryesimin në 4-1, por Djokovic shfaqi disa shenja jete teksa arriti ta shkurtojë atë në 4-3.Megjithatë, Murray diti të mbajë presionin dhe arriti të fitojë edhe këtë set 6-4 dhe krejt ndeshjen 2-0.

Andy Murray, fituesi i 3 titujve Grand Slam, është tenisti i 17 që e mbylli vitin si numri 1 i botës që nga viti 1973, kur nisi të përpilohej renditja ATP. Nga viti 2004 e deri tani, ai bëhet i katërti tenist që e arrin këtë pas Roger Federer, Rafael Nadal dhe Novak Djokovic.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel