Fondi i Solidaritetit, Partizani kërcënon FSHF-n: Lekët ose ju padisim!

19/11/2016 00:00

Fondi i Solidaritetit i UEFA-s po kthehet në një “mollë sherri” mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe disa prej skuadrave të cilat duhet të përfitojnë nga ndihma financiare e institucionit më të lartë të futbollit europian.

I fundit që ka reaguar është Partizani. Skuadra kryeqytetase, përmes një deklarate, thotë se asnjëherë nuk ka përfituar nga Fondi i Solidaritetit të UEFA-s, pavarësisht deklarimeve publike të disa skuadrave të tjera apo zyrtarëve të Federatës se klubet tashmë i kanë marrë këto para.

“Në ndryshim nga reagimi i sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, konfirmojmë se nuk kemi marrë asnjë pagesë prej institucionit të futbollit. Shprehim shqetësim, se si është e mundur që disa klube preferenciale pranë FSHF-së konfirmojnë se i kanë marrë këto para, ndërsa me dhjetëra të tjerë nuk kanë marrë asnjë qindarkë, përfshirë edhe ne”, thuhet në deklaratën e skuadrës së Partizanit.

Po ashtu, skuadra e Partizanit tërheq vëmendjen se Fondi i Solidaritetit të UEFA-s që është akorduar ndër vite, duhet të shkojë vetëm për akademitë e skuadrave dhe nuk lejohet ndryshim destinacioni. “Të ardhurat nga ky fond duhet të shkojnë vetëm për të ndihmuar fëmijët dhe asnjë formë tjetër pagese nga FSHF, për qëllime të tjera, nuk ka lidhje me këtë fond”, thuhet në deklaratë.

“Demat” kërkojnë në mënyrë urgjente transparencë për paratë e destinuara për ekipet e moshave të Partizanit.

“Duke falënderuar UEFA-n për ndihmën që synon t’u japë akademive të futbollit, i kërkojmë FSHF-së të shlyejë detyrimet, ose të sqarojë se kujt i kanë shkuar ato para. Askush nuk mund të abuzojë me fondet që u kanë takuar me meritë fëmijëve të akademisë së Partizanit ndër vite”, vijon deklarata.

Në fund, skuadra e Partizanit kërcënon FSHF-n se nëse nuk do të ketë reagim, do të ndjekin çështjen ligjërisht dhe do të vënë në dijeni edhe UEFA-n.

Top Channel