FSHF: Nuk ka masa të ekzagjeruara sigurie

11/11/2016 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit i cilëson si të ekzagjeruara raportimet mediatike për masat e sigurisë së ndeshjes mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Zëdhënësi i FSHF-së, Dritan Kokona thotë se masat janë normale dhe gjithçka tjetër vijon normalisht në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e ndeshjes.

“Jam këtu për të ndarë një shqetësim të FSHF-së në lidhje me ndeshjen që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”, Shqipëri-Izrael për ato informacione për një siguri tepër tepër të ekzagjeruar. Ndërkohë që nuk ndodh asgjë, nuk ka asnjë forcë policore të tejkaluar, janë vetëm 2 policë këtu përpara. Vijon shitja normalisht e biletave, vijon normalisht konvertimi i biletave. Gjithçka po shkon sipas parametrave të parashikuar prej nesh”, tha ai.

FSHF thotë se sjellja e policisë ndaj tifozerisë do të jetë korrekte, ndërsa vijon normalisht procesi i konvertimit të biletave.

“ Do të përmendja një shprehje “The Soccer come Back home”, kombëtarja kthehet në shpi, kthehet në “Elbasan Arena”.  Asgjë nuk është për t’u shqetësuar. Nuk do të ketë kaq qëndrime problematike të policisë. Ndërkohë ju njoftoj se në lidhje me biletat vijojnë konvertimet dhe marrjet e biletave, konferencat e shtypit do jenë siç jeni njoftuar. Nuk shikoj asgjë më shumë se 2 policë përpara hyrjes së stadiumit. Natyrisht policia ka detyrën e saj, por realisht nuk ka probleme kaq të mëdha sa krijohet dhe njerëzit mendojnë se  kushedi se çfarë do të ndodhë. Shpresoj shumë të marrim një rezultat pozitiv”, thuhet në reagim.

Top Channel