Zgjedhjet në SHBA dhe fenomeni i shkëmbimit të votave

08/11/2016 00:00

Sistemi zgjedhor amerikan ka edhe një aspekt, për të cilin nuk flitet shumë: shkëmbimin e votave.

Henley nga Alabama është përkrahëse e Hillary Clintonit dhe në platformën “nevertrump.trimian.com” shkruante se donte ta shkëmbente votën e saj, me një votues për një kandidat të tretë nga një shtet ku herë fitojnë republikanët, herë demokratët.

Përgjigjja – sipas “Deutsche Welle”-s, – i vjen gati gjysmë ore më vonë nga Sarah Platt, e cila thotë se do të votoje me qejf për Hillary në Indiana, nëse ajo voton për Jill Stein në shtetin ku jeton.

Si Henley, ashtu edhe Sara kanë të njëjtin qëllim: që president të mos zgjidhet Donald Trump. Platforma në fjalë është një nga shumë mundësitë “online” për shkëmbimin e votave.

Një gjë e tillë lidhet me sistemin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara, sipas të cilit, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk zgjidhet me votë popullore. Atje nuk ka votim të drejtpërdrejtë për presidentin. Për zgjedhjen e tij mblidhen përfaqësuesit zgjedhorë dhe triumfi i takon kandidatit që siguron më shumë prej tyre.

Përpjekjet e para për shkëmbimin e votave datojnë në vitin 2000. Asokohe, gjykatësit vendosën se veprimi nuk është i papranueshëm, pasi secili gëzon të drejtën e lirisë së mendimit dhe, për sa kohë për këtë gjest nuk jepen parà apo dhurata, ai konsiderohet i ligjshëm.

Por përderisa nuk ka garanci absolute se marrëveshja do të respektohet nga të dyja palët, disa zgjedhës e fotografojnë fletën e tyre të votimit si dëshmi, veprim ky që në një pjesë të shteteve amerikane nuk lejohet.

Top Channel