Darka e bamirësisë, Clinton-Trump shkëmbejnë batuta në “debatin e katërt”

21/10/2016 00:00

Një ditë pas debatit të ashpër televiziv mes tyre, Hillary Clinton dhe Donald Trump u gjendën sërish në krah të njëri-tjetrit, këtë herë në darkën tradicionale të bamirësisë në Nju Jork, të famshme për batutat që hidhen aty.

Eventi i përvitshëm gala shërben për grumbullim fondesh, por çdo 4 vite, fokusi vendoset te kandidatët presidencialë. Natyra e çlirët e mbrëmjes ndihmon të çtensionohet sadopak situata e ndezur politike.

Clintoni qeshi, kur Trumpi vuri në lojë fjalimet e saj të mirëpaguara dhe hetimin e FBI-së mbi “e-mail”-et private të ish-Sekretares së Shtetit. Ai nuk u ndal aty…

“Më thanë se Hillary kishte shkuar të rrëfehej përpara mbrëmjes së sotme, por prifti ishte zënë ngushtë kur e kishte pyetur mbi mëkatet e saj, dhe ajo 39 herë i është përgjigjur se nuk i mban mend”, tha Trump.

Kandidatja demokrate nuk mbeti prapa.

“Njerëzit hedhin vështrimin nga Statuja e Lirisë dhe ajo çfarë shohin është simboli krenar i historisë sonë si komb emigrantësh, një far drite për njerëzit anembanë botës. Donald Trumpi i hedh sytë atje dhe sheh një katër”, tha Hillary Clinton. “Mbase një pesë, nëse heq pishtarin dhe ndryshon modelin e flokëve”, shtoi më tej ajo.

“Mediat nuk kanë qenë ndonjëherë më subjektive se këtë vit. E doni provën? Michelle Obama mban një fjalim dhe të gjithë duartrokasin, është fantastik. Bashkëshortja ime Melania mban të njëjtin fjalim dhe menjëherë e mbysin me kritika. Këtë nuk e kuptoj”, tha Trump.

“Kardinali thotë se unë nuk kualifikohem për t’u bërë shenjtore. Por të kalosh 3 debate me Donaldin, kjo duhet konsideruar një mrekulli”, tha Clinton.

Trump, edhe këtë herë shkoi aty nuk ka shkuar asnjë kandidat tjetër më parë. Në eventin simbolik ku shkëmbehen shaka, ai mori nga publiku edhe ca fishkëllima, sepse e quajti rivalen e tij “të korruptuar”.

Top Channel