Meta vijon vizitën në Kinë: Politika jonë, për një Kinë të vetme

20/10/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në vijim të vizitës së tij në Kinë, u prit këtë të enjte në një takim nga homologu Zhang Dejiang, kryetar i Asamblesë Kombëtare Popullore.

Gjatë takimit, Meta konfirmoi politikën e palëkundur të Shqipërisë për “një Kinë të vetme”, atë të Republikës Popullore të Kinës, duke pohuar gjithashtu se Tirana zyrtare ndihet krenare që ka kontribuar për t’i dhënë Kinës vendin që ajo meriton në OKB.

Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, Meta u shpreh se janë të mirëpritura edhe më shumë investime nga vendi aziatik në fusha si bujqësia, turizmi dhe infrastruktura.

Ai vlerësoi se, në këtë kuadër është e rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dypalësh, si me nismat kineze “Një Brez, një Rrugë” dhe ajo rajonale “16 + 1”, “në të cilën Shqipëria është shumë e interesuar të luajë rolin e saj”, tha Meta.

Nga ana e tij, zyrtari kinez shprehu besimin se kjo vizitë do t’i shërbejë më tej intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në fushat me interes reciprok.

Top Channel