F1, ndryshimet në rregullore për vitin 2017

29/09/2016 00:00

Përveç kalendarit provizor të Formulës 1, FIA ka bërë të ditur edhe disa ndryshime në rregulloren e Botërorit të vitit 2017. Këto ndryshime kanë të bëjnë me zgjedhjen e gomave, ndërrimin e pjesëve të motorit apo nisjen e garës në regjimin e makinës së sigurisë.

Përsa u përket gomave, për 5 garat e para të sezonit të ri, nuk do të jenë skuadrat që do të zgjedhin numrin e gomave të 3 tipeve që do të kenë në dispozicion, por vetë Pirelli.

Tjetër ndryshim i FIA-s ka të bëjë me motorin. Nëse një pilot gjatë çdo gare paraqet më shumë se një element të njësisë së fuqisë që janë objekt penaliteti, atëherë për garat pasardhëse do të përdoret vetëm elementi i fundit i montuar, me pilotin që nuk do të ketë penalitete të tjera.

Vendimi i FIA-s përfshin edhe kaskat e pilotëve. Duke nisur nga viti 2017, pilotët duhet që në çdo garë të përdorin të njëjtën kaskë me qëllim që të njihen më lehtë. Përjashtim bëjnë vetëm rastet e garave që cilësohen të shtëpisë për pilotët, ku këta të fundit mund të përdorin një kaskë të veçantë.

Nuk do të ketë më nisje të garave pas makinës së sigurisë në raste kur ka reshje shiu. Do të kryhen vetëm disa xhiro pas makinës së sigurisë deri në momentin që kushtet janë të pranueshme. Më pas, pilotët do të vihen në vijat e nisjes për të bërë startin tradicional të garës.

Top Channel