Zona ku do të investonte OMNIX, ministri i Drejtësisë urdhëron hetim administrativ

21/09/2016 09:30

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka urdhëruar hetim administrativ për pronën në Gjirin e Lalëzit ku do të investonte shoqëria OMNIX. Urdhëri parashikon inspektimin e legjitimitetit të vendimeve të Gjykatës së Durrësit.

Manjani ka urdhëruar mbledhjen e informacionit nga arkiva e Agjencisë së Trajtimit të Pronës. Shoqëria OMNIX u tërhoq nga investimi për shkak se presidenti i kësaj kompanie, Fad Mitri u dhunua fizikisht nga persona të cilët i kërkuan të largohej nga Shqipëria. 

“Ky akt i rëndë kriminal ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania për ndërtimin e një kompleksi turistik”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Projekti turistik i miratuar vetëm dy muaj më parë në Këshillin Kombëtar të Territorit parashikonte ndërtimin e një resorti gjigant, që do të punësonte rreth 1200 veta deri në vitin 2018. Sipas Omnix, projekti e shndërronte Shqipërinë në një nga destinacionet kryesore turistike në Ballkan dhe do të kontribuonte në rritjen ekonomike të vendit.

Top Channel