Francë, australianja largohet me forcë nga plazhi. Kishte veshur burkini

19/09/2016 00:00

Një grua myslimane, turiste nga Australia, ka rrëfyer sesi është detyruar me forcë të largohet nga një plazh në rivierën franceze, për shkak se mbante veshur një burkini.

Zeynab Alshelh, një studente 23-vjeçare mjekësie, tha për median australiane se kishte udhëtuar në Europë për t’i shfaqur solidaritetin e saj grave myslimane. Pamjet televizive të transmetuara në “Channel 7” tregojnë banorë të zonës bregdetare të kërcënonin se do t’i telefononin policisë, nëse ajo nuk largohej nga plazhi.

Ndalimi i veshjeve burkini në disa zona bregdetare të Rivierës franceze u hodh poshtë në gusht nga gjykata më e lartë administrative e vendit. Kryebashkiakët e këtyre zonave, të cilët futën menjëherë në fuqi ligjin, e argumentuan këtë me faktin se veshja që mbulon tërësisht trupin ishte simbol i Islamit dhe shihej potencialisht si provokativ, pas masakrës së korrikut në Nice.

Ms Alshelh, nga ana tjetër deklaroi se ajo dhe familja e saj kishin udhëtuar për në Francë për të mësuar më shumë në lidhje me këtë situatë dhe për të parë nëse “mundet të bënin diçka për të ndihmuar këto vajza të jetonin një jetë normale”.

Ngjarjet në videon e publikuar nga media franceze mbrëmjen e së dielës u zhvilluan në plazhin e Villeneuve-Loubet. Përveç atij që kërcënoi se do të lajmëronte policinë, të tjerë plazhistë bënin komente disaprovuese.

“Ata nuk ishin të lumtur që ne ndodheshim atje, edhe pse ne ndodheshim në një plazh ku ndalimi i burkinit ishte refuzuar nga gjykata”, tha Alshelh. “Ngjarja nisi në plazh dhe Zoti e di se ku mund të përfundojë”.

Alshelh deklaroi se pikëpamja se gratë myslimane, të cilat zgjedhin të mbulojnë flokët apo fytyrën e tyre, janë të shtypura nuk është aspak e vërtetë. “Thjesht e shoh si qesharake. Është vetëm një simbol i besimit tim, simbol i Islamit. Të shkosh atje e veshur me hijab ndihmon njerëzit të fokusohen më shumë se çfarë ka brenda njeriut, sesa jashtë tij”.

Top Channel