Kosovë, aktakuzë për 5 të pandehur. Mes tyre imamë e hoxhallarë

15/09/2016 00:00

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur këtë të enjte, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, aktakuza kundër 5 të pandehurve: Bedri Robaj, ish-imam në xhaminë pranë Termokosit në Prishtinë; Idriz Bilibani, hoxhë nga Prizreni; Enes Goga, kryeimam nga Peja; Mazllam Mazllami, imam nga Prizreni; si dhe ndaj të pandehurit Fuad Ramiqi.

Sipas aktakuzës, dy prej të pandehurve B. R. dhe I. B., me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale të “shtytjes për kryerjen e veprave terroriste”, ndërsa të pandehurit E. G. dhe M. M. kanë kryer veprën penale të “nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”. Për të pandehurin F. R., aktakuza e ngarkon me kryerjen e veprës penale “thirrje për rezistencë”.

Ndaj të pandehurve të tjerë të përfshirë në këtë çështje penale, në mungesë të provave është marrë aktvendim për pushimin e hetimeve.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendas i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës, që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale që akuzohen dhe t’i gjykojë sipas ligjit.

Të shtunën e kaluar, një tjetër portal kosovar “Kallxo.com” kishte bërë të ditur se Prokuroria Speciale kishte vetëm një javë kohë për të ngritur aktakuzë ndaj tyre, pasi përndryshe hetimet do të pushoheshin. Sot ishte edhe dita e fundit për ta bërë diçka të tillë. Hetimi ndaj tyre ka nisur që prej shtatorit të vitit 2014, vit kur imamët e akuzuar tashmë u arrestuan, por u lanë të lirë pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Top Channel