Shiu bekon Balajn, Shqipëria fiton 2-1 ndaj Maqedonisë

06/09/2016 00:00

Reshjet e dendura të shiut që shtynë sfidën me Maqedoninë duket se i sollën fat skuadrës kombëtare në fushatën e saj kualifikuese të Botërorit 2018. Në “Loro Boriçi” të Shkodrës u zhvilluan edhe 15 minutat e fundit ku kuqezinjtë arritën të marrin maksimumin duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin 2-1.

Fati deshi që edhe në startin e këtij edicioni kualifikues të ishte Bekim Balaj vendimtari për kombëtaren me golin e shënuar në minutën e 89 të takimit.

Në këto minuta mori rolin e protagonistit edhe portieri Berisha që shpëtoi për mrekulli portën e tij vetëm pak minuta pas golit të Balajt, ndërkohë që Sadiku kishte shansin e artë për të shënuar një tjetër gol me peshë për kombëtaren por 25-vjeçari gaboi për pak.

Përsa i përket 75 minutave të zhvilluara në mbrëmjen e së hënës, ato u mbyllën me barazimin 1-1 ku Sadiku i dha avantazhin Shqipërisë në minutën e 9, ndërkohë që për Maqedoninë e shënoi golin e barazimit të përkohshëm, Alioski pasi shfrytëzoi një gabim në pasim të Kukelit.

Me këtë fitore ndaj Maqedonisë, Shqipëria merr 3 pikët duke u barazuar me Spanjën dhe Italinë qe i fituan ndeshjet e tyre respektive ndaj Lihtenshtejnit dhe Izraelit.

Top Channel