Franca rrit sigurinë në shkolla; trajnohen edhe fëmijët

26/08/2016 00:00

Mes masave të reja të marra në Francë, ku sulmet e kanë tronditur fort ndjenjën e sigurisë, është dhe forcimi i mbrojtjes në shkolla. Prania policore do të shtohet ndjeshëm në institucionet e mësimdhënies në mbarë vendin, ndërsa nxënësit vetë do t’u nënshtrohen trajnimeve mbi mënyrën e sjelljes në rast sulmi.

Kurset në fjalë do të përfshijnë edhe fëmijët e vegjël.

“Përgjatë gjithë këtij viti, shkollave do t`u kushtohet vëmendje e veçantë. Do të ketë një mbikëqyrje aktive të shkollave fillore, atyre të mesme dhe universiteteve, e cila do të përforcohet edhe me patrulla në rrugë”, njoftoi ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve.
 
“Fëmijët do të udhëzohen sesi të reagojnë në raste të tilla. Sigurisht do të marrim parasysh dhe moshën e nxënësve. Tek më të vegjlit, mësuesit dhe personeli i specializuar do ta shpjegojnë situatën në formë loje. E rëndësishme është që në fund të kenë reagimin e duhur e të fitojnë reflekse të cilat mund t’i ndihmojnë shumë”, u shpreh ministrja e Arsimit, Najat Vallaud-Belkacem.
 
Franca e ka forcuar ndërkohë sigurinë përreth shkollave hebraike dhe vendeve të kultit që prej vrasjes se 17 personave janarin e vitit të kaluar nga sulmi ndaj redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo” dhe një supermarketi hebre në Paris.

Top Channel