Rio 2016, Brazili eliminohet në “Maracana” nga Suedia

16/08/2016 00:00

Brazili në futbollin për femra i ka thënë lamtumirë Olimpiadës pasi është mposhtur me penallti nga Suedia.

Përfaqësuesja brazialine, një ndër favoritet kryesore për të triumfuar në olimpiadë nuk ia doli në gjysmëfinale të shënonte qoftë një gol në portën e nordikeve gjatë 120 minutave lojë, ndërsa në llotarinë e 11-metërshave vajzat, që drejtohen nga trajneri Vadao, gabuan dy herë kundrejt një dështimi të kundërshtareve.

As eksperienca e kapitenes Marta, 5 herë futbollistja më e mirë e vitit, nuk i shërbeu Brazilit për t’i shkuar deri në fund ëndrrës.

Ishte pikërisht 30-vjeçarja që ekzekutoi saktësisht penalltinë e parë, por në serinë e dytë për brazilianët gaboi Cristiane. Të njëtën gjë bëri edhe shqiptarja Kosovare Asllani për Suedinë, ndërsa në serinë e tretë dhe të katërt nuk gaboi asnjëra palë. Në serinë e fundit Andressa nuk mundi ta mposhtte portieren Lindahl ndërkohë që Dalhkvist realizoi 11 metërshin e kualifikimit.

Top Channel