Fillim i ri për basketbollin shqiptar

01/08/2016 00:00

Kombëtarja shqiptare e basketbollit ka nisur grumbullimin e saj të  parë pas 3 vitesh mungesë në “Asllan Rusi”, duke përgatitur eliminatoret e Kampionatit Evropian të vitit 2017. Ky fillim i ri i kuqezinjve të basketbollit do të jetë nën drejtimin e trajneri të ri, qipriotit Andonis Kostandinidhis.

Ai vjen si një trajner me shumë eksperiencë sa i përket klubeve, ku vitin e fundit me Sigal Prishtinën ka arritur të fitojë disa trofe, nga Ballkaniada, tek kampionati dhe kupa. Në këtë grumbullim, që është edhe kontakti i tij i parë me të gjithë grupin, janë rreth 19 lojtarë, ku pjesa më e madhe janë të kampionatit vendas, por nuk mungojnë edhe sportistët që luajnë jashtë si në Shtetet e Bashkuara, Greqi, Angli apo Itali.

“Jam shumë i emocionuar për këtë fillim të ri. Në grumbullim kemi shumë lojtarë të rinj, të cilëve do u duhet pak kohë që të ambientohen me lojën e njëri-tjetrit, ndërsa ne i njohim të gjithë shumë mirë. Aktualisht, janë 19 lojtarë, por deri në ndeshjen e parë do të mbajmë 14”, u shpreh trajneri.

Përfaqësuesja shqiptare ka filluar këtë grumbullim nga 1 gushti e do të qëndrojë deri më 17 shtator, aq sa zgjasin ndeshjet eliminatore të grupit.
 
“Kemi në dispozicion gati një muaj përpara se të luajmë ndaj Gjeorgjisë. Jemi të vetëdijshëm që jemi në një grup shumë të fortë. Gjeorgjia dhe Mali i Zi kanë lojtarë që luajnë në Euroligë dhe NBA. Do të jetë vështirë për ne, por padyshim një test i mirë për të ardhmen”, shtoi Kostandinidhis.

Shqipëria ndodhet në grupin F. Me Gjeorgjinë do të zhvillojë përballjen e parë në transfertë më 31 gusht, më pas do të luajë në “Asllan Rusi” ndaj Malit të Zi më 3 shtator. Ndeshja e tretë është ajo e 7 shtatorit në Sllovaki, për të mbyllur me ndeshjet e kthimit në datat 10,14 dhe 17 shtator.

Top Channel