Anijet turistike, Kapitaneria: Janë të sigurta

27/07/2016 00:00

Këtë sezon turistik vetëm tre anije ofrojnë transport udhëtarësh për shëtitje turistike në ujërat e brendshme territoriale shqiptare.

Sipas autoriteteve detare, këto anije që operojnë kryesisht në Gjirin e Vlorës, i përmbushin të gjitha standardet e lundrimit dhe kushtet e sigurisë për transport turistësh.

“3 janë që kanë licencë për transport. Rezulton se këto anijë i plotësojnë standardet dhe ne i kemi kontrolluar të gjithë dokumentacionin e këtyre anijeve, të cilat janë të certifikuara me kushte sigurie”, shprehet Paulin Ndreu, Kapiten i Përgjithshëm i Porteve.

Incidenti më i fundit në të cilin u përfshi anija turistike “Black Pearl”, e cila po transportonte turistë në plazhet e Karaburunit, pati si shkak një manovër të gabuar të kapitenit të saj, duke u përplasur me një mjet të vogël lundrimi pa person në bord.

Sipas Ndreut, anija turistike është e certifikuar për lundrim dhe ka kërkuar shtim të kapacitetit të saj lundrues nga 120 në 180 persona, kërkesë që po vlerësohet nga inspektorët e regjistrit detar.

“Ne nuk kemi lejuar asnjë anije të lundrojë pa plotësuar standardet e sigurisë për pasagjerët, pasi duke iu referuar edhe vitit të kaluar ku kemi pasur 2 apo 3 incidente të vogla kemi kërkuar rreptësishtë plotësimin e kushteve”.

Kapiteneria e Përgjithshme e Porteve siguron se mjetet e regjistruara për lundrim do të vazhdojnë të jenë nën mbikëqyrjen e autoriteteve detare për të siguruar lundrim dhe pushime të sigurta për pushuesit që zgjedhin vendin tonë.

Tre anijet e regjistruara:

“Black Pearl”, me kapacitet transportues 120 persona
“Regina”, me kapacitet transportues 80 persona
“Teuta”, me kapacitet transportues 30 persona (ende jo në aktivitet)

Top Channel