Higuain, objektivi i “Zonjës”

15/07/2016 00:00

Gonzalo Higuain bëhet objektivi kryesor i Juventusit për repartin e sulmit me argjentinasin që shihet si zëvendësuesi ideal i Alvaro Morata-s të rikthyer te Reali i Madridit.

Situata rreth sulmuesit të Napolit ka ndryshuar ndjeshëm me Higuain që duket se nuk është më i pashitshëm. Madje, bardhezinjtë janë gati që të paguajnë edhe klauzolën e kontratës që argjentinasi ka me klubin napoletan prej 94.7 milionë eurosh që “Zonja e Vjetër” mund ta paguajë në 2 këste prej 47.35 milionë euro secila.

Një tjetër çështje që po diskutohet te kampionët e Italisë është edhe kontrata e vetë futbollistit. Te Juventus ekziston ideja që Higuain t’i ofrohet një pagë prej 7.5 milionë euro në sezon për të formuar një skuadër akoma më dominuese se ajo e viteve të fundit.

Në merkaton e kësaj vere, Juventusi ka shpenzuar 32 milionë euro për blerjen e Pjanic si dhe 2-3 milionë euro për huazimin e Benatia. Në krahun tjetër “Zonja e Vjetër” përfitoi 30 milionë euro nga shitja e Morata-s, 2.5 milionë nga ajo e Padoin te Cagliari.

Tani bardhezinjtë duan të vënë duart edhe te kroati Pjaca për të cilin janë gati të ofrojnë 22-23 milionë euro, shifër që mund ta sigurojnë nga shitja e Zazës te Volfsburgu.

Duke u kthyer te Higuain, Marotta ka edhe një alternativë tjetër për të arritur te argjentinasi dhe bëhet fjalë për Perreira-n që pëlqehet nga stafi teknik i skuadrës napolitane dhe që ka një vlerë në merkato prej 18 milionë eurosh.

Top Channel