Partizani zëvendëson Skënderbeun në Champions

06/07/2016 00:00

Situata ndryshon vrrullshëm në kupat e Evropës për futbollin shqiptar. UEFA bën hapa prapa duke zëvendësuar Skëndërbeun me Partizanin në Champions League. Nëse vendimi për penalizaimin e Skëndërbeut për një vit nga aktivitetet evropiane u duk të na linte pa një skuadër përfaqësuese në aktivitetin më të rëndësishëm për klube në Evropë, është UEFA e cila ka reaguar me një vendim të paprecedentë referuar vendimit të përshpejtuar të CAS-it.

Sipas këtij e-maili që Top Channel ka mundur të sigurojë, njoftohet skuadra kryeqytetase, Partizani, që ndeshja e kthimit me skuadrën Slovan Bratislavën është anulluar dhe skuadra sllovake është kualifikuar automatikisht, ndërkohë që Partizani do të zëvendësojë Skëndërbeun në raundin e dytë të Champions League, megjithatë ndeshja që ishte parashikuar të luhej nesër mes Slovan Bratisllavës dhe Partizanit do të ketë statusin e një ndeshjeje miqësore në respekt të kupës Europa League.

Ky vendim ishte i pritur nga skuadra e Partizanit, e cila ishte bërë gati edhe ligjërisht të përballej me UEFA-n, duke qenë se që në momentin e mësimit për ndëshkimin e Skëndërbeut kryqytetasit kishin filluar përgatitjet për pjesëmarrjen në Champions League dhe për këtë kishin edhe një konfirmim nga UEFA, i cili më pas u anulua pas apelimit që skuadra e Skëndërbeut bëri në CAS.

Gjithsesi, është vetë organi më i lartë i futbollit europian, i cili është tërhequr nga vendimi që kishte marrë në momentin e hedhjes së shortit se asnjë skuadër shqiptare nuk do të merrte pjesë në Champions League edhe në rast pezullimit të Skënderbeut. Sa i përket kampionëve në fuqi, që vitin e kaluar shkruajtën historinë e futbollit shqiptar me pjesëmarrjen e tyre në grupet e Europa Ligës, këtë vit do të shikojnë Evropën vetëm nga ekrani i televizorit.

Gjatë arsyetimit të vendimit, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka theksuar faktin se klubi korçar nuk do të lejohet të marrë pjesë në eleminatoret e Ligës së Kampioneve për sezonin 2016-2017, për rolin e tij në manipulimin e rezultateve të ndeshjeve. Ky vendim i vë një njollë të madhe jo vetëm korçarëve, por edhe futbollit shqiptar, me damkën e trukimeve në sportin më popullor në planet.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel