Llogaritë për kombëtaren, “skenarët” e kuqezinjve

17/06/2016 00:00

Sfidat me Zvicrën e Francën janë arkivuar tashmë dhe për kombëtaren ka ardhur koha që të bëjë disa llogari për ndeshjen e fundit. Është prestigjiozja amerikane “New York Times” ajo që publikon kombinimet e mundshme për një kualifikim të mëtejshëm për skuadrën tonë përfaqësuese.

“Pavarësisht përpjekjeve, Shqipëria i humbi 2 ndeshjet e para dhe ka pak shanse për t’u kualifikuar”, theksohet te “New York Times”. “Megjithatë ato ekzistojnë ende. Shqipëria mund të kalojë në 1/8 e finaleve si një prej 4 skuadrave të vendit të tretë në grupe”.

Nëse Shqipëria do të mundë Rumaninë do të marrë 3 pikët dhe do të renditet e treta në Grupin A, pavarësisht rezultatit në sfidën mes Francës e Zvicrës. Por, problemi qëndron se do të ketë edhe skuadra të tjera me 3 pikë, gjë që do të thotë se Kombëtares shqiptare do t’i duhet të fitojë në këtë përballje me rumunët me një diferencë golash sa më të madhe.

Në rast se Kombëtarja shqiptare do të humbasë apo barazojë me Rumaninë atëherë ajo është përfundimisht jashtë Europianit të Francës.

Top Channel