Ata që do të vizitojnë Parisin këto ditë do të mund të vënë re mungesën e një prej atraksioneve më të rëndësishme të qytetit, piramidës së Luvrit. Artisti JR, mjaft i lakuar në Francë kohët e fundit, arriti të krijojë një iluzion optik befaues.

Përmes një imazhi gjigand të fasadës së muzeumit ai krijoi ndjesinë e zhdukjes së piramidës së famshme prej xhami, e ndërtuar në vitin 1980.

“Kjo ishte mënyra e vetme për ta kamufluar atë. Duke luajtur me arkitekturën në një nga pikat e këndvështrimit e duke e zhdukur atë nga shikimi si një magjistar”, shprehet artisti.

Veprat e tij, JR i ka ekspozuar nga Lindja e Mesme në Brazil, nga Kina në Shangai.

Disa kohë më parë, ai kishte njoftuar në rrjetin social Instagram se diçka magjike do të ndodhte përpara muzeut më të vizituar në botë. Vepra e tij është gati e përfunduar dhe piramida po zhduket gradualisht. Mes 28 dhe 29 majit fshehja totale e saj do të festohet me një sërë aktivitetesh të organizuara në Luvër.

FOTO GALERI
1/3
"Zhduket" Piramida e Luvrit

Top Channel