Euro 2016, snajper, forca elitare dhe ushtri

24/05/2016 00:00

Plot 23 mijë forca policore do të monitorojnë nga afër Europianin 2016 të futbollit këtë verë që mbledh kombëtaret më të mira të kontinentit për një muaj fantastik plot adrenalinë dhe spektakël.

Por duket se sporti më popullor në planet, ashtu si të tjera evente sportive, ka kaluar në plan të dytë për shkak të masave të sigurisë, me ministrin e Brendshëm që doli këtë të martë para mediave, për të siguruar publikun se asnjë e keqe nuk i gjen në vendin transalpin.

Franca ka treguar limitet e saj në shërbimet e inteligjencës dhe reagimit, sidomos në sulmet terroriste së fundmi. Por shërbimet elitare të njohura me akronimin GIGN, snajper, ushtria nga ajro dhe toka, do të bëjnë tifozët vizitorë duke përfshirë ata shqiptarë, të ndihen të sigurt.
 
Në një lëvizje të paprecedent të planeve operacionale për sigurinë, ministri i Brendshëm përfshiu në axhendën e takimeve, edhe drejtuesit e Turit të Francës, që njihet ndryshe si botërori i çiklizmit.
 
“Mund t’ju siguroj se 23 mijë forca të xhandarmërisë dhe policisë do të jenë prezente në rrugë si në Europian ashtu dhe në Turin e Francës. Pjesë e tyre do të jenë dhe forcat elitare”, tha ministri francez Bernard Cazeneuve.
 
Incidentet e fundit në një provë gjenerale në “Stade de France”, kanë rikthyer kritikat ndërkohë ndaj autoriteteve. UEFA ndërkohë ka angazhuar mijëra forca sigurie shtesë për më shumë se 110 zona të ndryshme në Francë.

Më shumë se 2.5 milionë spektatorë do të vizitojnë vendin transalpin, për të ndjekur 51 ndeshjet që do të zhvillohen në 10 stadiume anembanë vendit.

Top Channel