Kosovë, tryezë diskutimi mes investitorëve dhe huaj dhe qeverisë

24/05/2016 00:00

Platforma e dialogut mes investitorëve europianë dhe Qeverisë së Kosovës ka nisur punimet këtë të martë në Prishtinë, me qëllim lehtësimin e dialogut mes dy palëve për të ndihmuar drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.

Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi Bashkimin Europian si partnerin kryesor ekonomik, teksa theksoi se janë ndërmarrë reforma të tilla si strategjia kombëtare e zhvillimit, programi nacional për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e të tjera.

“Bashkimi Europian paraqet partnerin kryesor ekonomik tonin, me pjesëmarrje në eksporte dhe importe me mbi 60%, si dhe pjesëmarrje në investime të huaja direkte me mbi 50%. Ky partneritet i referohet një klime të favorshme ekonomike që po ofron Kosova, përfitimeve të investitorëve dhe ekonomisë së Kosovës”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar bëri thirrje që diskutimet e kësaj konference të kthehen në veprime konkrete dhe vendime me qëllim përmirësimin e mjedisit për biznes.

“Duhet të ndërmerren hapa nga autoritetet, shumica e të cilëve janë këtu, në mënyrë që të preken çështje që ndikojnë në vendimet për investime. Siç jemi të gjithë në dijeni, ekonomia e Kosovës vazhdon të sfidohet nga industritë e tjera të zhvilluara dhe ka shkallë të ulët të prodhimit me mosbalancime të ndryshme, ekonomi joformale, me korrupsion të përhapur dhe çështje të tjera. Të gjitha këto rezultojnë në fund me një shkallë të lartë të papunësisë dhe varfëri të madhe”, tha Samuel Zhbogar, përfaqësues i BE-së në Kosovë.

Punimet kanë vazhduar në 4 tryeza të rrumbullakëta me pjesëmarrjen e investitorëve të huaj, përfaqësuesve qeveritarë, përfaqësues nga Banka Qendrore e Kosovës dhe kompani të ndryshme.

Top Channel