Kosova, Vokrri: Do të interesohemi në FIFA për lojtarët tanë me kombëtaret e huaja

16/05/2016 00:00

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri është kthyer nga Meksika me shumë optimizëm për të ardhmen e futbollistëve kosovarë, pas pranimit në UEFA dhe në FIFA.

Në një konferencë për mediet, Vokrri tha se në dy ditët e ardhshme do t’i drejtohen FIFA-s me kërkesë për sqarime rreth të drejtës së lojtarëve kosovarë, që aktualisht luajnë në kombëtare të huaja, për t’u mundësuar kthimin në përfaqësuesen e Kosovës.

“Ekziston një rrezik, nëse ne nuk reagojmë apo nuk pyesim menjëherë FIFA-n pas pranimit tonë, sesi do të qëndrojë çështja e lojtarëve tanë. Atëherë ata mund të sjellin një vendim, i cili nuk mund të jetë i mirë për ne, sepse mund të na thuhet që ata kanë filluar të luajnë në kampionatin europian. Ne do t’i paraprijmë kësaj, do t’i shkruajmë dhe do të kërkojmë sqarim, sepse mund të na thonë se pas kampionatit europian ata kanë luajtur dhe nuk mund të kthehen”, tha Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, FFK.

Vokrri ka folur edhe për ndeshjet e klubeve kosovare në arenën ndërkombëtare, për të cilat shpreson që nuk do të paraqitet ndonjë problem ligjor për nisjen e garave në të ardhmen e afërt.

“Për klubet do të mbahet një takim më vete, në takimin javor të komunitetit të UEFA-s. Neve na është thënë se klubet do të luajnë. Nuk shohim ndonjë problem ligjor, e dimë edhe që nuk do të licencohen, mirëpo në takimin e radhës, Komuniteti Ekzekutiv do të lajmërojë më shumë në këtë drejtim”, tha më tej Fadil Vokrri.

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës tha se, tani i mbetet institucioneve që të mbështesin më shumë futbollin në infrastrukturë sportive.

Top Channel