Entuziazëm e siguri, francezët presin Europianin

09/05/2016 00:00

Parisi pret Euro 2016 dhe tifozët e këtij evenimenti. Organizatorët tashmë e kanë përcaktuar atë që quhet Zona e Tifozëve kur pritet të qëndrojnë deri në 92 mijë persona.

Sipas asaj që publikohet te “Le Parisien”, kjo zonë është në “Champs de Mars” dhe ka një sipërfaqe prej 130 mijë metra katrorë. Në të njëjtën kohë, organizatorët kanë menduar vendosjen edhe të një ekrani gjigant për transmetimin e të gjitha ndeshjeve të Europianit, që do të ketë një sipërfaqe prej 420 metra katrorë.

Zonat e Tifozëve do të hapen 3 orë përpara fillimit të ndeshjeve dhe do të mbyllen në mesnatë. Hyrja do të jetë falas, ndërkohë që siguria do të jetë në nivelet maksimale.

Do të jenë 350 forca policore në terrenet e Zonave të Tifozëve, ndërkohë që do të instalohen 30 kamera survijuese. Do të ketë gjithashtu edhe inspektime dhe kontrolle sistematike në hyrje të tyre.

Kostot që kanë të bëjnë pikërisht me masat e sigurisë në Zonat e Tifozëve në të 10 qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet e Euro 2016, do të mbulohen nga qeveria franceze dhe UEFA.

Top Channel