ISIS publikon identitetet e operatorëve të dronëve: Ekzekutojini në shtëpitë e tyre

03/05/2016 09:10

Shteti Islamik ka publikuar online një listë me rreth 70 emra, që thuhet se janë pilotët e dronëve amerikanë që duhen ekzekutuar.

Në listë, përveç emrave janë edhe fotot dhe adresat e pilotëve, mes të cilëve ka edhe shumë gra.

E ashtuquajtura “hit list”, e publikuar nga Divizioni Informatik i Shtetit Islamik, përmban identitetet e atyre që kanë menaxhuar dronët në sulmet kundër bazave dhe anëtarëve të kalifatit në Siri dhe Irak.

Ajo shoqërohet me thirrjen, “goditini kudo që të ndodhen, trokisni në dyert e tyre dhe prijauni kokën, therrini, qëllojini me plumb në kokë, ose hidhini në erë”.

Divizioni Informatik i ISIS pretendon gjithashtu se ka arritur të hartojë një listë falë shërbimeve të një “spiuni” në Ministrinë britanike të Mbrojtjes dhe kërcënon se do të publikojë lista të tjera në të ardhmen, ku do të jenë të identifikuar edhe operatorët britanikë të dronëve.

Informacionet e zbuluara për momentin nuk mund të identifikohen.

Top Channel