Kosovë, përkujtohet eksodi masiv i 15 prillit 1999

15/06/2016 00:00

Brenda 10 minutash, ditën e 15 prillit të vitit 1999, ushtria, policia dhe paramilitarët serbë dëbuan mijëra shqiptarë nga Mitrovica, duke i orientuar në drejtim të Pejës dhe më pas drejt Shqipërisë. Kolona ishte ndër më të gjatat, pasi ishin bashkuar edhe refugjatë të ardhur nga Drenica e vende të tjera ku kishte luftime.

Ali Topalli nga Mitrovica, i cili drejton sot shoqatën “Eksodi”, kujton sesi janë keqtrajtuar vazhdimisht nga forcat serbe në rrugëtimin e gjatë rreth 200 kilometra.

“Lëvizja ka qenë e tmerrshme, sepse në çdo postbllok  policor të ngritur çdo dy ose tri kilometra, ne jemi keqtrajtuar, ofenduar, plaçkitur, rrahur”, tha Ali Topalli, dëshmitar i eksodit dhe kryetar i shoqatës “Eksodi”.

Sipas Topallit, momenti më i vështirë ishte në Pejë, ku janë pritur nga ushtarë me uniforma mbretërore serbe, të armatosur me shpata, revole e automatikë.

“I thirrën të gjitha nënat që mbanin fëmijë nëpër duar dhe filluan t’ua marrin ato, duke thënë madje se do t’i merrnin fëmijët e do t’i prisnin, por nënat të mos kishin merak, sepse ata e kishin shpatën shumë të mprehtë dhe fëmijët nuk do të ndienin gjë (qan)”, tha Ali Topalli, dëshmitar i eksodit.

Me të filluar bomardimet e NATO-s, më 24 mars 1999 deri më 4 maj të atij viti, fshati Xërxë i Rahovecit u mobilizua t’u dalë në ndihmë të dëbuarve.

“Atë natë mblodha komplet kryesinë dhe e njoftova se, në Xërxë kishim rezerva diku rreth 500 ton miell, kishim një farmaci plot me medikamente, gjëra të tjera elementare, veshmbathje, batanije, si dhe dy mullinj për bluarje misri në rast nevoje, në mungesë të miellit”, tha Mustafë Kryeziu, kryetar i fshatit Xërxë.

Për të kujtuar eksodin, këtë të premte në Mitrovicë u zbulua një monument, ndërsa disa nga ish-pjesëtarët e karvanit të dhimbjes nisën ecjen e organizuar në drejtim të Xërxës, për të kaluar natën atje si 17 vite më parë.

Top Channel