300 mijë euro për Gjermaninë nëse fiton Evropianin

01/04/2016 12:25

Futbollistët e Gjermanisë do të kenë një arsye më shumë për të tentuar fitoren në Kampionatin Evropian të Futbollit që do të zhvillohet në Francë. Federata Gjermane e Futbollit (DFB) nëpërmjet një komunikate për shtyp ka bërë të ditur se secili prej lojtarëve të skuadrës përfaqësuese do të shpërblehet me 300 mijë euro në rast triumfi.

Menaxheri i kombëtares kampione të botës, Oliver Bierhoff deklaroi se është i kënaqur për arritjen e një akordi të tillë për shpërblimin, pasi do të sjellë paqe dhe qartësi në ekip që përpara fillimit të turneut.

DFB-ja në komunikatën e saj për shtyp bën të ditur se për futbollistët dhe stafin e Joachim Low nuk do të ketë bonuse ekstra në fazën e grupeve dhe 1/8 e finaleve. Dhënia e shpërblimeve do të nisë që nga çerekfinalet, nëse Gjermania do të kualifikohet në këtë fazë, shpërblimi për çdo futbollist do të jetë 50 mijë euro. Në rast kualifikimi në gjysmëfinale ata do të përfitojnë 100 mijë euro, ndërsa nëse Gjermania arrin në finale bonusi do të ketë një vlerë prej 150 mijë eurosh. Në fund, ngritja e trofeut do të sjellë për lojtarët përfitimin prej 300 mijë eurosh.

Gjermania është në grupin C të “Euro 2016” së bashku me Poloninë, Ukrainën dhe Irlandën e Veriut dhe kuotohet si pretendentja kryesore për të fituar këtë turne.

Top Channel