Trajneri i Austrisë: Me Shqipërinë, një sfidë e vështirë

25/03/2016 00:00

Edhe pse drejton një kombëtare që renditet mes 10 vendeve të para në renditjen e FIFA-s, trajneri i Austrisë, Marcel Koller, ka thënë në konferencën për shtyp të së premtes se ekipi i tij nuk do ta ketë të lehtë ndaj Shqipërisë.

“Shqipëria është një skuadër kompakte dhe ka mbrojtje të mirë. Në kualifikueset e Europianit pësuan pak gola, ndërsa në fazën ofensive kanë cilësi për t’i goditur kundërshtarët. Na pret një sfidë e vështirë dhe duhet të jemi të përgatitur për t’u përballur me kualitetin e tyre”.

Koller tha se së bashku me lojtarët ka analizuar mënyrën se si luan Shqipëria. “Kundërshtari në miqësore është i vështirë, ashtu sikundër rivalët në grup. Është një test i mirë dhe si pjesëmarrës në Kampionatin Europian, shqiptarët nuk vijnë për turizëm”.

Megjithatë në fund shprehet se do të synojë të bëjë lojën e saj dhe të arrijë një rezultat të kënaqshëm për tifozët e saj. “Kemi ruajtur stilin agresiv të lojës dhe absolutisht do të kemi një skuadër sulmuese në fushë. Duhet të japim maksimumin në fushë, në mënyrë që tifozët të shohin një skuadër të suksesshme”.

Top Channel