Përmbytje nga reshjet e shiut edhe në Pejë

07/03/2016 00:00

Reshjet e rëna gjatë natës kanë shkaktuar përmbytje në qytetin e Pejës. Rrugët kryesore të qytetit janë bllokuar dhe për këtë arsye janë mbyllur të gjitha shkollat.

E gjendur në këtë situatë, Komuna e Pejës ka ngritur Shtabin e Emergjencave. Zëdhënësi i këtij shtabi, Engelbert Zefaj tha përmes telefonit për Top Channel se, falë shërbimeve emergjente të komunës, gjendja e kanaleve te shkarkimit është stabilizuar dhe niveli i reshjeve ka nisur të bjerë.

Sipas tij nuk është raportuar për ndonjë të lënduar, përveç dëmeve materiale kryesisht në biznese, por që ende nuk është kryer ndonjë vlerësim.

Në anën tjetër, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe Agjencia për Mbrotjen e Mjedisit kanë paralajmëruar reshje të mëdha, të cilat do të arrijnë maksimumin të hënën në orën 18:00.

Kjo ka shtuar shqetësimin te Shtabi i Emergjencave në Komunën e Pejës, të cilët kanë kërkuar ndihmë edhe nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Njësite të FSK-së me bazë në Istog, pak kilometra nga Peja, janë në gjendje gatishmërie për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Pas paralajmërimit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për reshje të mëdha në të gjithë Kosovën, në gjendje gatishmërie është edhe Komuna e Prishtinës, e cila ka bërë thirrje publike qytetarëve të shmangin lëvizjet dhe të kenë kujdes në qarkullimin rrugor.

Top Channel