Europiani, siguria është në kushte optimale

03/03/2016 00:00

Më shumë se 2.5 milionë tifozë nga i gjithë planeti do të zbarkojnë në Francë këtë verë me objektivin e vetëm për të qenë prezent në stadiume apo në festat për Europianin e futbollit këtë verë, në turneun që luhet në 10 impiante mes 24 kombëtareve.

“Stade de France” në veçanti do të ruhet nga 1200 forca sigurie si shënjestër potenciale e kërcënimeve terroriste, ndërsa vendi transalpin i ka konfirmuar botës se siguria është optimale.
 
Mesatarja e forcave të rendit prezente në çdo stadium të Euro 2016 do të jetë 900 agjentë, të cilëve do t’i shtohen 200 vullnetarë dhe 80 mjekë, që përfaqëson 30% të stafit mbi normën e zakonshme.

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë CRS dhe Xhandarmëria do të dislokohet gjithashtu pranë tifozëve.

Pikërisht përballë këtyre numrave, Franca kërkon të sigurojë tifozët se sulmet terroriste të së kaluarës së afërt janë vetëm një mirazh, kur duhen mbi 3 muaj nga nisja e turneut.

“Nuk ka asnjë shans që ne të luajmë në stadiume bosh për shkak të kërcënimeve. Impiantet do të jenë plot pasi është bërë maksimumi për arsye sigurie”, tha trajneri francez Deshamp në një seminar për seleksionerët finalistë.

Franca do të hapë kompeticionin me një ndeshje ndaj Rumanisë në 10 qershor.

Top Channel