NBA, fiton Denver, “bie” Miami (Video)

08/02/2016 10:45

Mbrëmja e 7 shkurtit ishte për Denverin, që përveç triumfit në Super Bowl fitoi edhe në NBA. Skuadra e Nuggets mposhti në ndeshjen e saj të radhës  New York Knicks 101-96, në “Madison Square Garden”. Protagonistë për Denverin në këtë përballje u bënë italiani Danilo Gallinari dhe Will Barton, që shënuan nga 19 pikë secili. Për Denver kjo është fitorja e 21 sezonale, megjithatë kjo skuadër vazhdon të jetë jashtë zonës së Playoff-it, ndërsa New York regjistroi humbjen e tij të 31.

Miami Heat u gjunjëzua në parketin e tij, në “American Airlines Arena” nga  Los Angeles Clippers 93-100. Skuadra kaliforniane, në perfundim të 3 periodave të para kishte një avantazh prej 8 pikësh, të cilin arriti ta administronte mjaft mirë në 12 minutëshin e fundit. Chris Paul me 22 pikë ishte ai që u dallua për Los Angeles Clippers që ndodhet në vendin e katërt në Konferencën e Perëndimit, me 34 fitore dhe 17 humbje, ndërsa Miami Heat renditet i gjashti në Lindje, me 29 fitore dhe 23 humbje.
 
Në ndeshjet e tjera të NBA, Orlando Magic fitoi me Atlanta Hawks 96-94, ndërsa Boston Celtics mundi në Sacramento Kings 128-119.

Top Channel