Patrick Vieira, trajner i ri i New York Cityt

21/01/2016 00:00

Patrick Vieira bën prezantimin e tij si trajneri i ri i New York Cityt. Ish-futbollisti i Arsenalit dhe përfaqësueses franceze zëvendësoi në këtë detyrë amerikanin Jason Kreis pasi ky i fundit dështoi që të kualifikojë skuadrën nju jorkeze në fazën e “play-off”-it sezonin që sa u mbyll.

“Jam shumë i emocionuar. Jam këtu prej pak javësh dhe mezi pres të nis punën në skuadër. Na pret një sezon fantastik dhe unë kërkoj suksesin”, tha Vieira në konferencën për shtyp të mbajtur me rastin e prezantimit të tij.

Vieira te New York City do të punojë me disa emra të njohur të futbollit europian si David Villa, Frank Lampard dhe Andrea Pirlo. Trajneri 39-vjeçar deklaroi se është shumë i kënaqur që do të punojë me këta lojtarë.

“Jam vërtet shumë i lumtur që më jepet mundësia të punoj me këta futbollistë. Kam luajtur kundër tyre dhe mund të them se janë fantastikë, por mbi të gjitha janë lojtarë me mentalitet fitues”, shtio francezi.

Patrick Vieira në karrierën e tij si futbollist ka luajtur 107 ndeshje me Kombëtaren e Francës dhe ishte pjesë e kësaj skuadre në 1998 dhe 2000 kur “gjelat” u shpallën kampion bote dhe Europe.

Në rang klubesh, Vieira ka fituar 3 tituj kampionë në Angli me Arsenalin dhe 4 në Itali me Juventusin dhe Interin për ta mbyllur karrierën e tij te Manchester City në vitin 2011.

Vieira do të nisë aventurën e tij si trajner me sfidën që New York City do të luajë me Florida Gulf Coast University në 31 janar, sfidë kjo e vlefshme për përgatitjet në prag të sezonit të ri.

Top Channel