Operacioni në Hanin e Elezit, Policia: Imishti nuk ka qenë në Siri, por nxiste terrorizmin

01/12/2015 00:00

Policia e Kosovës ka dhënë shifra alarmante të përfshirjes së kosovarëve në luftën e Sirisë dhe Irakut, gjatë një konference ku paraqiti pamjet e aksionit gjatë arrestimit të Samet Imishtit, i dyshuar për nxitje terrorizmi dhe vepra penale – sipas akuzës, – për bashkëpunim edhe me të dyshuar të tjerë jashtë shtetit.

Siç shihet në pamjet e Policisë, në aksionin e zhvilluar në shtëpinë e Imishtit, në fshatin Rezhancë të Hanit të Elezit, përveç policëve kosovare, në aksion kishte edhe policë të ardhur nga Italia.

“Kemi shoqëruar një person, nën dyshimin se është i përfshirë në veprën penale të sanksionuar nga ligji i ri për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit. Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit, në cilësinë e provave materiale kemi gjetur dy armë zjarri, një revole dhe një karabinë, të cilat janë sekuestruar, si dhe disa pajisje elektronike e materiale të tjera, që ndërlidhen me çështjen”, tha Luan Keka, drejtor kundër Terrorizmit në Kosovë.

Keka tha se ky është rasti i parë i arrestimit, bazuar mbi ligjin e ri kundër terrorizmit, i cili parashikon edhe ndalimin e personave që bëjnë thirrje dhe kercënime nëpër rrjetet sociale.

Luan Keka, nga Drejtoria kundër Terrorizmit ka thënë se, personi i arrestuar të martën është i moshës rreth 44-vjeçare dhe – sipas hetimeve, – ai nuk ka udhëtuar asnjëherë deri tani në Siri apo Irak, por nxitjen për terrorizëm e ka kryer pa shkuar atje.

Keka tregoi kohën se kur kanë nisur të shkojnë kosovarët në Siri për të luftuar, si dhe numrin e të vrarëve deri më tani.

“Ndër vite, llogariten afro 330 pjesëtarë nga Kosova që kanë udhëtuar në Lindjen e Mesme. Në mesin e tyre ka gra e fëmijë, por edhe të tjerë që konsiderohen luftëtarë. Për momentin, numri i të pranishmëve atje llogaritet të jetë rreth 80. Në lidhje me numrin e të deklaruarve të vdekur, Policia e Kosovës ka informacione për rreth 50 persona”, tha më tej Luan Keka.

Keka tha se, aktualisht në Kosovë, rreth 100 persona të arrestuar nga Policia për pjesëmarrje në luftën e Sirisë dhe vepra të ndryshme terroriste ndodhen nëpër procedura të ndryshme gjyqësore, duke u gjykuar.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani tha se janë nën vëzhgim të kosovarëve të dyshuar për lidhje me ata që ndodhen në Siri, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve për mospërfshirje në luftëra të huaja. Kelani shtoi se, Policia e Kosovës është duke bashkëpunuar me të gjitha policitë e rajonit, për të koordinuar veprimet e luftës kundër terrorizmit.

Top Channel