NBA, Oklahoma e nis me fitore

29/10/2015 11:30

Oklahoma City Thunder jep sinjalin se do të jetë një prej pretendentëve më të forta për të fituar e trofeun e NBA për këtë sezon, pasi fitoi derbin e Konferencës së Perëndimit ndaj San Antonio Spurs me rezultatin 112-106.

Pas 3 periodave të para të zhvilluara në ekuilibër, Oklahoma krijoi diferencën e nevojshme për të siguruar këtë fitore në 12 minutat e fundit të ndeshjes. Russell Westbrook ishte në ditën e tij më të mirë dhe e mbylli këtë sfidë me 33 pikë. Në krahun tjetër, Leonard ishte më i miri për Spurs, por 32 pikët e tij në fund i shërbyen vetëm për statistika personale.

Miami Heat e nisi sezonin e ri me suksesin ndaj Charlotte. Në “American Airlines Arena”, Miami arriti të triumfojë 104-94 falë paraqitjes shumë të mirë të Bosh, Wade dhe Green, të cilët e mbyllën këtë sfidë me 21, 20 dhe 19 pikë të shënuara respektivisht. Në të njëjtën kohë spikati edhe i riu Winslow, i cili në periodën e dytë bëri që Miami të krijojë një diferencë të rëndësishme pikësh, që do ta ndihmonte në fund për të fituar ndeshjen.

Cleveland Cavaleirs e harroi menjëherë disfatën e pësuar ndaj Chicago Bulls, duke shkatërruar Memphis Grizzlies. Skuadra nga Ohio arriti të mbyllë këtë sfidë me rezultatin e thellë 106-76, kjo falë edhe një sërë gjuajtjesh të sakta për 3 pikë të basketbollistëve të saj. Cleveland i mjaftoi një pjesë për të vendosur diktatin e tij ndaj Grizzlies, që sezonin e kaluar ishte skuadra me mbrojtjen më të mirë në NBA. Memphis e pati të pamundur t’i kundërpërgjigjej lojës së Cleveland. LeBron James dhe Kevin Love u mjaftuan të shënonin vetëm 12 dhe 17 pikë për t’i dhënë suksesin skuadrës së tyre.

Top Channel