Tifozët shqiptarë trembin Danimarkën

19/08/2015 00:00

Federata Daneze e Futbollit (DBU) vihet në alarm dhe shkak për këtë është bërë dyndja e tifozëve shqiptarë te cilët janë të interesuar për të ndjekur sfidën e kombëtares me Danimarkën, e vlefshme për “Euro 2016”. Mësohet se një pjesë e mirë e tyre kanë blerë bileta që janë të sektorëve ku do të qëndrojnë tifozët vendas dhe kjo ka shqetësuar jo pak danezët. Shefi i zyrës së shtypit të DBU-së, Jakob Hoyer, paralajmeroi tifozët shqiptarë se nuk do të lejohen të hyjnë në stadium me biletat që janë për sektorët e akomodimit të tifozëve daneze.

“Për tifozët shqiptarë është caktuar një sektor i veçantë, madje u kemi vënë në dispozicion atyre një numër më të madh biletash nga sa parashikohet”, deklaroi Jakob Hoyer. “Padyshim është diçka e bukur kur krijohet atmosferë e ndezur mes tifozerive. Por duhet të paralajmërojmë shqiptarët se nuk do t’i lejojmë që të hyjnë në stadium nëse paraqiten me bileta të sektorëve të rezervuar për tifozët danezë”, shtoi zëdhënësi i federatës.

Sfida mes Danimarkës dhe Shqipërisë do të zhvillohet në “Telia Parken” dhe sipas rregullores vetëm 5% e biletave u takojnë tifozëve shqiptarë, ose e thënë me shifra janë 1850 bileta. Në të vërtetë, Federata Daneze vuri në dispozicion të FSHF-së 2100 bileta, 250 më shumë. Jakob Hoyer bëri thirrje që të kthehen biletat e blera nga shqiptarët për të evituar që të ndodhin ngjarje të pakëndshme, pasi sipas tij, siguria në stadium është prioritet.

Danimarka dhe Shqipëria ndajnë vendin e dytë dhe të tretë në renditjen e grupit I me 10 pikë, ndërkohë që në krye ndodhet Portugalia me 12 pikë. Dy skuadrat e para dhe ekipi i tretë më i mirë kualifikohen direkt për në fazën finale të “Euro 2016”, ndërsa skuadra e vendit të tretë luan në playoff.

Top Channel