Perez në Katar, takon kreun e PSG për merkaton

06/07/2015 00:00

Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, duket se ka diskutuar për merkaton e transferimeve në Katar. Kreu i klubit “merengue” u takua në Doha me emirin Tamim Al Thanin, i cili është edhe pronari i Paris Saint Germain.

Lajmi u bë i ditur nga prestigjiozja franceze “France Football”, sipas së cilës, zyrtarisht ky takim i Perez me Al Thanin u bë për çështje biznesi, meqë kompania ACS ka kontratë me vendin arab për ndërtimin e infrastrukturës. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar palët të diskutojnë edhe çështjen e transferimeve.

Sipas “France Football”, Reali i Madridit duket se ka shfaqur interes për blerjen e ndonjë prej futbollistëve të PSG dhe emrat e lakuar janë Ibrahimovic, Cavani, Verratti e Marquinho. Por, në krahun tjetër, edhe PSG ka pretendimet e tij dhe ai që është kërkuar me ngulm nga kampionët e Francës është Cristiano Ronaldo, i cili ka një kontratë me Realin deri në vitin 2018.

Por, Ronaldo nuk është i vetmi lojtar në shënjestrën e klubit transalpin. Së fundmi, Paris Saint Germain ka shfaqur dëshirën për blerjen e kartonit të francezit Karim Benzema. Nëse Reali i Madridit arrin të bëjë një blerje të madhe në merkaton e kësaj vere, atëherë Benzema do të shohë t’i ngushtohen hapësirat në skuadër dhe kjo mund ta detyrojë të largohet nga kryeqyteti spanjoll.

Top Channel