Ringritja e Ferrarit, Arrivabene: Bukur të vendosësh Mercedesin nën presion

20/04/2015 00:00

Mercedesi mbetet makina më e fortë deri më tani, por është aty pranë, jo shumë e distancuar nga të tjerat. Madje, nëse gjendet nën presion, mund edhe të pësojë edhe ndonjë problem teknik.

Ferrari duket se po arkivon në këtë mënyrë Çmimin e Madh të Bahreinit, duke qenë të bindur se më në fund kanë gjetur rrugën e duhur për të ndjekur, sipas drejtorit teknik Arrivabene. “Edhe pse realisht e dinim që kishim nisur një punë të mirë, gara e kësaj fundjave ishte domethënëse për të forcuar më shumë idenë e një klime besimi dhe entuziazmi në skuderinë nga Maranello”, shprehet ai.

“Mund të na tërhiqet pak vëmendja, pas atyre dy parakalimeve që në nisje nga Raikkonen dhe Vettel ndaj Rosberg, ndërkohë që Hamilton kontrollonte garën. Mund të qortohemi edhe për garën e Sebastian, i cili dëmtoi hundën e makinës, por të gjendemi mes dy makinave Mercedes, të cilat vitin e kaluar në këtë pistë nuk patën aspak konkurrencë, nuk mund të mos konsiderohet si diçka e mrekullueshme”.

Maurizio Arrivabene shpjegon edhe atë që fshihet pas gjithë kësaj ringritjeje të Ferrarit, që po kap kufijtë e të mrekullueshmes. “Jam i lumtur për skuderinë, sepse ka punuar mirë. Dua të falenderoj të gjithë personat në Maranello që mundën të zhvillojnë një motor të tillë, por edhe çdo detaj tjetër të makinës, duke realizuar në 3 muaj diçka që normalisht do të kërkonte të paktën 6 muaj punë. Nuk e di nëse do të arrijmë Mercedesin, por sigurisht që më pëlqen ideja që po i vendosim ata nën presion”.

Top Channel