Platini kundër Blatter: Nuk e mbështesim më

22/10/2014 00:00

Michel Platini nuk ndalet në fushatën e tij kundër moviolës në fushë. I intervistuar nga mediat italiane, presidenti i UEFA-s vazhdon t’ia mbyllë dyert teknologjisë, pasi ka deklaruar se i shkakton të gjithë dëmin e mundshëm futbollit, gjatë prezantimit të librit të tij të fundit “Flasim për futboll”.

Platini ka konfirmuar gjithashtu se nuk do të mbështesë kandidaturën e radhës së Joseph Blatterit për të vijuar në Presidencën e FIFA-s.

“Nuk do të ndihmojë për asgjë – ka komentuar Platini, – sepse televizioni nuk është e vërteta. Do të pengonte besimin te futbolli. Për të ndihmuar arbitrin kam rritur tashmë numrin e asistentëve”.

Gjithashtu asnjë mbështetje për Blatter, i cili gjatë javëve të fundit është shprehur i hapur ndaj moviolës në fushë. Ndoshta e bën për të marrë disa vota më shumë në një periudhë zgjedhjesh…

“I dua të mirën, – janë fjalët e francezit ndaj Blatter, – por 4 vite më parë kërkoi mbështetjen tonë duke na thënë se do të ishte kandidimi i fundit i tij në Presidencën e FIFA-s. Tashmë vjen edhe na kërkon sërish ta mbështesim, por i jam përgjigjur negativisht, pasi kemi nevojë për ndryshime”.

Top Channel