Brazil vs Kili, momenti i së vërtetës

28/06/2014 00:00

Në orën 18:00 në stadiumin e Belo Horizontes me takimin Brazil-Kili nis faza e 1/8 e botërorit. Brazilianët duhet të mposhtin kilenët për të realizuar ëndrrën e tyre, fitoren e kupës në shtëpi.

Skuadra e drejtuar nga Scolari shihet si favorite, por përballë Kilit që mundi të kalojë në një grup të vështirë duke eliminuar kampionët në fuqi, Spanjën, nuk pritet ta kenë të lehtë.

Një sfidë brenda kësaj sfide është ajo mes dy yjeve të Barcelonës, Nejmar e Sançez. Në takimin ndaj Kroacisë, të fituar 3-1 brazilianët nuk zhvilluan një lojë në lartësinë e një pretendenti, madje ndeshja mund të kishte përfunduar me tjetër rezultat nëse nuk do të ishte influencuar nga gjyqtari dhe dy takimet e tjera po në grup ata nuk bindën.

Në mesfushë, trajneri Scolari shpreson tek forma më e mirë e Fernandinho-s, ndërsa në sulm i zakonshmi Nejmar do të kërkojë të fitojë sfidën në distancë me Mesin për trofeun e golashënuesit, përpos duelit me Sançez, që së bashku me Arturo Vidal janë dy shtyllat e skuadrës kilene. Ky i fundit qendroi në stol në ndeshjen kundër Holandës për t’u rikuperuar.

E pa zbritur ende në fushë, beteja ka nisur në distancë me replika dhe kundër replika mes palëve. Kanë qenë dyshimet e kilenëve për gjykimin e takimit ato që kanë ngjallur reagimin e brazilianëve.

Lojtarët e zyrtarët e futbollit të Kilit, të cilët kanë thënë se më shumë se sa Brazilin kanë frikë nga arbitrimi i ndeshjes së ditës së shtunë.

Alexis Sanchez deklaroi ditën e enjte se është i shqetësuar për performancën e arbitrit, duke ndjekur të njëjtën linjë si presidenti i Federatës së Futbollit të Kilit dhe sulmuesi Valdivia, të cilët më parë kishin nënvizuar se arbitri mund të kthejë ndeshjen në favor të mikpritësve të Botërorit.

Deklarata të tilla janë konsideruar fyese nga Brazili. Rodrigo Paivaa, drejtorit i Komunikimit i Seleçaos, doli në konferencë shtypi për të bërë me dije indinjatën e një kombi të tërë.

“Këto deklarata janë një përçmim ndaj arbitrave, ndaj FIFA-s, ndaj organizatorëve të Botërorit dhe ndaj 100 viteve historie futbolli që ka Brazili. Ne kurrë nuk kemi bërë nga këto gjëra dhe për këtë arsye kërkojmë respekt nga të tjerët”, theksoi Paiva.

Në orën 22:00 luhet takimi tjetër, ai mes Uruguajit dhe Kolumbisë, e cilësuar si sfida më e balancuar dhe më e paparashikueshme e kësaj faze.

Top Channel