Media spanjolle: Ishte bukur për aq sa zgjati!

19/06/2014 00:00

Eliminimi i papritur i Spanjës nga Botërori, është lajmi që ka pushtuar faqet e para të gazetave në Spanjë dhe në mbarë Europën.

Askush nuk e priste një paraqitje kaq të dobët të kampionëve të Botës, për të cilët ky është fundi i një cikli fitues e i lavdishëm.

E përditshmja “AS” shkruan: “Ishte shumë bukur aq sa zgjati”, për t’iu drejtuar më pas skuadrës: “Mos kërkoni falje, ju detyrohemi shumë”.

“Marca”, në faqen e parë publikon një foto të Andres Iniesta-s, me titullin: “Spanjë-Kili, Spanjë-Kili 0-2: The End”. Për të ardhur keq, mënyra si u mbyll epoka e lavdishme e “La Roja”.

E përditshmja tjetër spanjolle, “El Mundo Deportivo”, publikon: “Abdikuan, kampionët largohen nga Botërori pa lavdi”, ndërsa në versionin online të “Sport” lexohet artikulli: “Disfatë historike e Spanjës”.

“El Pais” shkon edhe më tej, duke bërë një krahasim me Titanikun. “Spanja si Titaniku”, shkruan kjo e përditshme. Kombëtarja më e mirë spanjolle e të gjitha kohërave largohet nga Botërori pasi u mund 0-2 nga Kili.

Top Channel