Bajern, 33 mln euro për Benatia, Roma refuzon

10/06/2014 00:00

Roma zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm në Serinë A. Skuadra e drejtuar nga Rudi Garcia u rëndit e dyta në kampionat dhe deri në javët e fundit mbetej pretendente për titull.

E gjatë këtij sezoni shkëlqyen disa emra, njëri nga të cilët edhe Mehdi Benatia. Mbrojtësi maroken dalëngadalë siguroi vendin e titullarit dhe u shndërrua në pikën më të fortë të skuadrës së Garcia në repartin e tërhequr.

Me afrimin e merkatos shumë klube janë interesuar për të siguruar shërbimin e tij, por kanë hasur në murin e lartë financiar të ngritur nga skuadra e Romës. Sabatini deklaroi se “Benatia vlen 61 milion euro”.

Oferta e parë mbërriti nga Anglia. Manchester City ofroi 38 milion euro, që u refuzuan menjëherë nga verdhëkuqtë. Pa u trembur kësaj, në dyert e skuadrës së kryeqytetit mbërriti një tjetër ofertë, ajo e Bajernit të Mynihut. Kampionët gjermanë janë të gatshëm të shpenzojnë 33 milion euro për mbrojtësin, por edhe kjo ofertë u refuzua.

Së fundmi përflitet se në Romë janë shfaqur agjentë të Celsit të Londrës për të shqyrtuar mundësinë e blerjes së Benatias, duke ditur që marokeni gjithmonë ka shprehur dëshirën për të luajtur në Londër.

Top Channel