Botërori, Buffon: Objektiv çerekfinalet

28/05/2014 00:00

Kapiteni i Italisë, Gianluigi Buffon, pretendon se objektivi minimal i “axurrëve” në Botërorin “Brazil 2014” është arritja e fazës së çerekfinaleve.

Kampionët e Botërorit të 2006-s në Gjermani, të cilët do të drejtohen tashmë nga Cesare Prandelli deri në fund të Europianit 2016, përfunduan si finalistë të Euro 2012, si dhe të tretët në Kupën e Konfederatave të vitit të kaluar.

“Nuk mund ta them me sigurinë absolute, që ne do të arrijmë finalen apo gjysmëfinalet”, tha Buffon në konferencën për shtyp të së enjtes. “Por, besoj se jemi një ekip i besueshëm, në kuptimin që kemi mundësi të fitojmë ndeshjet që janë për t’u fituar”.

“Ndonjëherë, ne kemi mundësi të surprizojmë në ndeshje, ku ne nuk konsiderohemi favoritë. E megjithatë, edhe nëse shkojmë deri në çerekfinale, gjithsesi do të jetë një Botëror shumë i mirë për ne”, përfundoi ai.

Portieri veteran i Juventusit e di se Italia do të duhet të mposhtë ekipe shumë të mira, nëse do të kërkojnë të shfaqen si një rrezik real në kompeticionin brazilian, pse jo për ta fituar për të pestën herë në histori. “Jemi një ekip i maturuar – tha Buffon. – Jemi në gjendje për të qenë të besueshëm dhe për të ecur larg”.

“Por, duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë edhe vlerat e rivalëve tanë. Kur flasim për Spanjën, Argjentinën, Brazilin dhe Gjermaninë, të gjithë janë një hap përpara nesh, ata janë favoritë. Së bashku me Francën, ne jemi prapa tyre, por mos harrojmë edhe Belgjikën, e cila mund të arrijë gjysmëfinalen dhe kjo s’do të përbënte një surprizë”.

Top Channel