Ceremonia e varrimit të minatorit

19/10/2011 00:00

Është përcjellë për në banesën e fundit minatori që humbi jetën në aksidentin tragjik në minierën e ACR-së, në Bulqizë.

Naim Shyti, 39 vjec dhe baba i dy fëmijëve, ishte futur së bashku me dy kolegë në nivelin 16 të minierës me urdhër pune, për t’u kujdesur për ajrimin, por një shpërthim hidrogjeni dëmtoi rëndë atë duke i marrë jetën, si dhe duke plagosur rëndë 8 minatorë të tjerë.

Mëngjesin e së mërkurës, kolegët e minatorit të vrarë ndërprenë punën në shenjë proteste dhe kanë shkuar pranë familjes së të ndjërit për t’i bërë nderimet e fundit.

Më pas trupi i të ndjerit është përcjellë për në banesën e fundit në fshatin e tij të lindjes, me një ceremoni ku të pranishëm ishin familjarët, të afërmit dhe kolegët.

Ndërkohë, familja e të ndjerit është ngushëlluar edhe nga kryeministri Berisha, i cili në Tiranë vizitoi tre minatorët e plagosur.

“Ky ishte një aksident i dhimbshëm dhe tragjik, – u shpreh Berisha – dhe qeveria është e vendosur, së bashku me mjekët, të bëjë cdo gjë për t’ju ndihmuar”.

Bulqizë, hetim i prokurorisë, sekuestrohen dokumentet

Ndërkohë, në Bulqizë, prokuroria ka nisur hetimin për ngjarjen tragjike. Janë thirrur dhe marrë në pyetje drejtuesit e minierës dhe minatorët që kanë djeni për ngjarjen.

Por ka qenë e pamundur të hyet në minierë për shkak se prej momentit të shpërthimit thuhet se niveli hidrogjenit është në sasi të rrezikshme.

Megjithatë, prokurorët janë të sigurtë se do të mund të inspektojnë të enjten në mëngjes në terren vendin e aksidentit që i morri jeten minatorit Naim Shyti.

Ndërkohë, janë sekuestruar të gjitha materialet shkresore në drejtorinë e minierës dhe janë pyetur minatorët për mënyrën e reagimit pasi në minierë u shfaq niveli lartë i hidrogjenit.

Ndërkohë, tre minatorë të plagosur nga shpërthimi janë dërguar për kurime të mëtejshme në Spitalin Amerikan në Tiranë, disa orë pasi morën ndihmën e urgjencës në Spitalin Ushtarak. 

Top Channel