Ndëshkimet për plagjiaturë/ Universiteti i Tiranës me rregulla të reja, të ashpra për studentët, më të buta për pedagogët

06/08/2026 15:24

Universiteti i Tiranës ka miratuar sistemin software antiplagjiaturë Turnitin për përdorim institucional.

Me vendim të senatit akademik dhe firmën e rektorit Artan Hoxha është hartuar në shkurt të 2026 edhe rregullorja për parandalimin e plagjiaturës, ku përveç masave për pedagogët, një filtër në punimet akademike do të ketë edhe për studentët. Pedagogu i lëndës, drejtuesi i punimit apo komisioni i vlerësimit në rast dyshimi nis procedurën për verifikimin  e rastit që mund të jetë një projekt, detyrë kursi apo disertacion doktorature.

Sanksionet për kategorinë e studentëve parashikohen të jenë sipas nivelit të kopjimit. Në rast konstatimi të një shkelje të lehtë si citim i paplotë apo perifrazim i pasaktë të rinjtë kanë detyrimin ta rishkruajnë duke korrigjuar pjesët e punimit si dhe të ndjekin këshillimin në auditor lidhur me standardet e integritetit akademik. Kur shkelja e lehtë përsëritet apo vërehet në nivel mesatar, vendoset masa e moskalimit të lëndës deri te pezullimi nga studimet për një semestër. Në rast të një shkelje të rëndë, duke llogaritur plagjiaturë të gjerë si dhe blerje e punimeve akademike, vendoset përjashtimi i studentit nga Universiteti i Tiranës dhe ndalimi i regjistrimit për një periudhë jo më pak se dy vite. Ndërsa për ciklin e tretë të studimeve parashikohet ndërprerja e menjëhershme e studimeve doktorale.

Rregullorja e institucionit më të madh arsimor publik universitar në Shqipëri rreptësinë që parashikon me studentët, e zbut masën për stafin akademik që kryejnë plagjiaturë. Kur konstatohet plagjiaturë e rëndë, pushimi nga puna është opsional, pasi thuhet se në rastet mbi 50%, ndaj personelit akademik dhe kërkimit shkencor MUND të iniciohet procedura disiplinore për zgjidhjen e kontratës.

Vërejtje për paralajmërim për largimin nga detyra, pedagogët marrin edhe për shkelje mesatare. Kanë detyrimin të tërheqin publikimin nga revistat apo konferencat shkencore si dhe pengohen të angazhohen për një vit në projekte e grante.

Për pedagogët që kopjojnë deri në 30% vendoset vërejtje me shkrim dhe detyrimi për të ndjekur një trajnim mbi etikën në kërkimin shkencor dhe integritetin akademik.

Top Channel