Qeveria stimulon rritjen e bananes

07/03/2011 08:20

Rritja e çmimit të bananes, e cila vjen e gjitha nga jashtë, detyron autoritetet shqiptare që ta kultivojnë vetë, në zona të caktuara.

Në programin e fundit të Ministrisë së Bujqësisë, për herë të parë fermerët shqiptarë do të marrin nga shteti subvencion në rast se pranojnë të kultivojnë banane, fryt ekzotik që rritet kryesisht në vendet latine, me klimë të ngrohtë.

Deri më sot banania është importuar, pasi në vendin tonë nuk ka gjetur interesin dhe kushtet për ta prodhuar, por me sa duket, planet ambicioze të qeverisë për të zgjeruar prodhimin dhe shtrenjtimi i këtij produkti, ka bërë të mundur që shtojë fondet për mbështetjen e këtij fryti, tepër të konsumuar në Shqipëri.

Për cilido fermer që ka interes të kultivojë banane duhet të aplikojë në Ministri të Bujqësisë dhe në rast se projekti rezulton bindës atëherë përfiton 350 mijë lekë për hektar, nëse e prodhon në mënyrë intensive dhe 250 mijë lekë nëse e rrit sipas mënyrës tradicionale.

Ekspertë të ministrisë, sqarojnë për gazetën se zonat ku mund të prodhohet janë në Jug të vendit, kryesisht në Sarandë, me anë të serave.

Ministria thotë se deri tani nuk ka të dhëna të ketë aplikuar ndonjë fermer, por garantojnë se dikush do të kujtohet, pasi dhe futja në skemën e subvencionimit do të jetë propozuar nga subjekte të caktuara.

Për të përfituar subvencionimin, fermeri duhet të plotësojë disa kritere, ku kryesori është pronësia mbi tokën, hapësira e saj që nuk duhet më e vogël se dy dynym, si dhe projekti.

Në skemën e subvencionimit është futur edhe mbarështimi i lepurit. Ata që pranojnë të rrisin lepuj, do të marrin nga 60 mijë lekë për fermë, por me kushtin që numri i tyre nuk duhet të jetë më i vogël se 100 lepuj.

Duke qenë se lepuri ka një normë shumimi tepër të lartë (çdo tre muaj), ministria i ka dhënë rëndësi edhe raportit meshkuj-femra.

Kështu, njëri kusht për të fituar nga fondi i subvencionimit është madhësia e fermës, e cila duhet të jetë me mbi 100 krerë lepuj në majmëri dhe të ketë të paktën 12 riprodhuese femra dhe 2 riprodhues meshkuj.

Për të shmangur abuzimet, Ministria e Bujqësisë do të caktojë dy specialistë të saj për të verifikuar fermat me lepuj në periudhën maj-qershor 2011.

Ministria thotë fermat me lepuj janë të përhapura kryesisht në rajonet Fier dhe Lushnjë.

Top Channel