Berisha takon pushuesit

05/08/2010 15:20

Një mbrëmje pushimi në bregdetin e Durrësit për kryeministrin Sali Berisha nuk do të thotë vetëm një takim me familjen apo me miqtë, por edhe një shëtitje pranë pistës “Iliria” dhe takim me plazhistët.

Shumica e tyre janë shqiptarë të Kosovës apo Maqedonisë, të cilët po kalojnë pushimet në bregdetin e Adriatikut. Edhe këtë vit, për ta, rruga për në plazhet shqiptare është më e shkurtër për shkak të rrugës Durrës-Kukës.

Por në plazhin e Durrësit ka edhe turistë të huaj, përshtypjet e të cilëve për Shqipërinë janë mbresëlënëse.

Vetë kryeministri Berisha është i kënaqur me numrin e turistëve që kanë vizituar vendin gjatë 2 muajve të parë të sezonit turistik.

“Vetëm qershori dhe korriku kanë rreth 1 milion e 400 mijë të ardhur. Është një vërshim do të thosha drejt Shqipërisë dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht pozitive”, është shprehur Berisha.

Në këto pamje me pushuesit kryeministri Berisha, megjithëse ka kaluar një vit të ashpër politik, duket i çlodhur dhe i shtensionuar madje bën edhe batuta me fëmijët që takon në plazh.

Plazhistët me të cilët takohet kryeministri Berisha duken të kënaqur nga pushimet në Durrës dhe kryeministri nuk ngurron t’u premtojë se qeveria do të vazhdojë të investojë për përmirësimin e infrastrukturës në të gjitha zonat turistike të vendit.

Top Channel