Top Talk: turizmi në “shok” nga Coronavirusi. 1.8 miliard euro humbje. 90% e rezervimeve janë anuluar

25/03/2020 18:01

Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar me anë të një lidhje “Skype” Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Zak Topuzi.

Në studio u fol në lidhjet me humbjet që do të ketë turizmi këtë sezon, si pasojë e koronavirusit të ri që ka kapluar të gjithë vendin, por jo vetëm. Topuzi u shpreh se humbjet llogariten diku tek 1.8 miliard euro dhe kjo humbje mund ta dërgojë turizmin e vendit tonë në një kolaps të vërtetë. Ai u shpreh se shumë kompani perëndimore, që do të sillnin gjatë muajve të verës turistë të huaj në vendin tonë, i kanë anuluar këto udhëtime. Ka dhe disa kompani të tjera që janë në pritje, por edhe ata priten që të anulojnë udhëtimet e tyre, thotë Topuzi. Po ashtu ai shtoi se  nga 600 mijë punonjës në Shqipëri, thuajse 48% e tyre janë të lidhur direkt ose indirekt me industrinë e turizmit.

Denis Dyrnjaja: Nga ajo që ishim që po ndodh aktualisht me koronavirusin a do të kemi turizëm si vjet. Është kjo pyetja që të lind natyrshëm?

Zak Topuzi: Janë pezulluar të gjitha aktivitetet, janë kufizuar lëvizjet në vend, janë bllokuar kufijtë e shteteve, së fundmi janë bllokuar edhe kufijtë e kontinenteve. Industria e turizmit dhe udhëtimeve për momentin është në një kolaps total. Është një nga industritë më të rëndësishme të botës, që siguron 320 milionë vende pune. Është në një situatë të vështirë pasi nuk ka asnjë mundësi mbijetese. Sigurisht që vendimet e marra nga vendet e ndryshme të botës, por edhe nga qeveria shqiptare, janë masa të domosdoshme, për të kufizuar dhe minimizuar këtë virus. Është një luftë që sapo ka filluar dhe të mos harrojmë që kontinenti Evropian dhe Amerika sapo kanë filluar të ndiejnë efektet e para. Ndërkohë që Kinës iu deshën katër muaj për të kufizuar përhapjen. Pra, kemi një luftë e cila do të vazhdojë minimalisht tre apo katër muaj.

Denis Dyrnjaja: Si është situate me anulimin e rezervimeve nëse ka një statistikë në nivel kombëtar.

Zak Topuzi: Deri në muajin qershor janë të anuluara pothuajse të gjitha udhëtimet, qoftë individuale, qoftë të grupit. Për periudhën tjetër kryesore, pothuajse janë të anuluara. Shumë pak kompani perëndimore kanë mbajtur pending (pritje e përkthyer nga Anglishtja), për arsye se kanë bërë pagesat dhe një pjesë e kompanive shqiptare, apo dhe hoteleve kanë marrë parapagim. Është pothuajse e dështuar, indirekt ato po presin të mos bëhet ndonjë ndryshim, por normalisht është pothuajse e bllokuar.

Denis Dyrnjaja: Kur themi që shumica e tyre është e bllokuar, menjëherë mendja të shkon tek gjenerimi i të ardhurave nga ky grup turistësh. A ka një lloj statistike se sa ka gjeneruar të ardhura turizmi, fjala vjen për vitin 2019. A ka dalë shifra sa ka qenë gjeneruar. Për të kuptuar sa do të jetë dëmi këtë vit.

Zak Topuzi: Shifra që gjeneron turizmi është 1.8 miliardë euro, gati 48% e importit të Shqipërisë dhe punonjës direkt janë 93 mijë, ndërsa indirekt janë 270 mijë. Duke pasur parasysh që janë 600,000 mijë punonjës në Shqipëri, gati gjysma pra 48% janë punonjës që lidhen direkt dhe indirekt me industrinë turistike. Në rast se industria turistike do të kalojë në kolaps, do të përshkallëzohet dhe falimenti do të përfundojë nuk i dihet se në sa shkallë.

Top Channel