Përballë situatës kur dy persona janë testuar pozitivisht me koronavirus, kryeministri Edi Rama nga një mbledhje urgjente e qeverisë, paraditen e të hënës anoncoi, një mori me masa parandaluese duke nisur nga shkollat.

“Mbyllja e institucioneve arsimore për një periudhë 2-javore për të parandaluar përhapjen dhe pastaj vlerësimi në proces. Pse mbyllja e institucioneve arsimore? Duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë që, në të gjitha statistikat e nxjerra deri tani në terrenin global të zhvillimit të kësaj përballjeje pjesa më pak e kërcënuar është pjesa e më të rinjve. Por, nga ana tjetër, duhet kuptuar se të rinjtë, apo fëmijët, të cilët për shkak të faktit që duhet të shkojnë në shkollë, apo në kopsht dhe mblidhen së bashku janë bartës, pra mund ta transportojnë virusin tek të tjerët”, shprehet Rama.

Krahas shkollave qeveria vendosi edhe një sër masash të tjera sa i përket transportit detar ajror dhe rrugor.

“Pezullimi i fluturimeve direkte, apo udhëtimeve me veriun e Italisë dhe praktikisht me të gjitha zonat e kuqe të izoluara plotësisht deri në datë 3 Prill. Një tjetër element që është shumë i rëndësishëm të theksohet dhe është e domosdoshme të merret në konsideratë nga të gjithë individët është vetë karantinimi pra vetë izolimi i personave që vijnë nga zona me shpërthim të virusit në nivel komunitar apo siç quhen ndryshe zonat e kuqe të cilat monitorohen me një rigorozitet të skajshëm nga strukturat shëndetësore”, tha Rama.

Përmes një urdhëri drejtuar të gjitha kapitenerive të porteve në vend ministria Belinda Ballku, urdhëron ndalimin e lëvizjes së mjeteve të transportit detar, nga të gjitha portet shqiptare drejt Italisë së veriut, deri në një urdhër të dytë.

Qeveria ka vendosur në dispozicion të ministrisë së shëndetësisë edhe një fond tjetër prej 400 milionë lekësh, në përballjen e kësaj situate. Ndërkohë kryeministri Edi Rama, theksojë nevojën e ruajtjes së qetësisë në betejën e nisur me koronavirus në vendin tonë.

“Është në këto momente një përgjegjësi e madhe, një përgjegjësi e jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi jo të lehtë përballjeje që mediat të vetëpërmbahen dhe të kenë vetëdijen se në këtë situatë armiku më kërcënues nuk është koronavirusi, por është paniku, paniku që stimulohet nga lajmet e rreme, paniku që stimulohet nga ekzagjerime të paarsyeshme, paniku që stimulohet nga burime dhe komente të pa autorizuara, të pa certifikuara, jo profesionale, jo shkencore”, tha ai.

Gjithashtu përmes një vendimi të posaçëm, qeveria vendosi edhe mbylljen e aktiviteteve sportive, kulturore dhe dëgjesa publike deri më 3 prill.

Top Channel