Konflikt mes disa personave gjatë natës në Tepelenë/ Dhunë fizike dhe armë të ftohta, plagosen dy vëllezër dhe kushëriri i tyre

31/07/2026 09:20
foto ilustruese

Një konflikt i nisur gjatë orëve të paradites së djeshme në qytetin e Tepelenës, mes disa personave të moshës 30–40 vjeç, ka degraduar sërish pas mesnate, duke lënë tre persona të plagosur.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 01:00, disa prej personave të përfshirë në konflikt ndodheshin në një lokal lloto në qytet, kur pala tjetër ka mbërritur pranë lokalit me tre automjete tip fuoristradë. Konflikti është përshkallëzuar me përdorimin e mjeteve të forta dhe armëve të ftohta, duke degjeneruar më pas në dhunë fizike.

Siçraporton korrespondentja e Top Channel Entjola Budo, si pasojë, tre persona, dy vëllezër dhe një kushëri i tyre, kanë mbetur të plagosur pasi janë goditur me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera të forta. Ata janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Gjirokastrës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Autorët e dyshuar janë shpallur në kërkim nga policia. Mbetet ende e paqartë nëse policia kishte dijeni për konfliktin e nisur gjatë paradites dhe nëse ishin marrë masa për të parandaluar përshkallëzimin e tij.

Tepelenë/Informacion paraprak

Rreth orës 00:30, në qytetin e Tepelenës, dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta midis disa personave, kanë mbetur të dëmtuar, si pasojë e goditjeve me sende të forta, shtetasit A. B., 39 vjeç, E. B., 41 vjeç (vëllezër), dhe M. B., 46 vjeç (djali i xhaxhait të dy shtetasve të tjerë), të tre banues në Tepelenë. Të dëmtuarit ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve. Në përfundim të veprimeve procedurale do të japim njoftim të detajuar për këtë rast.

Top Channel